Portretet e punëtorëve të KESCO-s
Në familjen e madhe të KESCO-s, kolegët tanë krahas punëve që bëjnë çdo ditë, kanë edhe talente të ndryshme në të cilat janë profesionistë të vërtetë. Në vazhdën e serisë së prezantimit të talentëve të familjes së KESCO-s kësaj radhe kemi përzgjedhur një tenisere profesioniste, e cila e ushtron këtë sport tash e 15 vite.
Anduena Latifi ushtron pozitën e Analistes së Përkujdesit me Konsumatorë. Çdo ditë, ajo pret me dhjetëra konsumatorë në zyrën e përkujdesit, ku pranon kërkesat e tyre për shqyrtim të mëtutjeshëm. Përveç punës, ajo është edhe tenisere, sport të cilin e ka zhvilluar për vite me radhë, duke u renditur në ranglista botërore në nivel përfaqësimi.
Anduena është tenisere profesioniste, kampione e shumëfishtë. Ajo ka përfaqësuar Kosovën në kampionate ndërkombëtare, duke ngritur me krenari flamurin e Kosovës përtej kufinjëve. Përgjatë bisedës sonë, ajo tregon për përvojat e saj në kampionate jashtë vendi, ku shpesh herë ka sfiduar edhe meshkujt.
Anduena ka përfaqësuar Kosovën edhe në garat botërore të "Fed Cup", ku ka treguar rezultate të larta. Pas gjithë këtyre arritjeve, Anduena sot është trajnere e tenisit, e cila vazhdon me përkushtim të madh të përcjellë njohuritë që ka për sportin e Tenisit tek brezat e rinjë.