Katër aktivitete të thjeshta lidhur me energjinë elektrike që mund t'i bëni me fëmijët tuaj
Nga hulumtimet në internet kemi kompiluar (përpiluar) një seri aktivitetesh edukative që ju mund t’i bëni me fëmijët tuaj. Këto aktivitete jo vetëm që ndërlidhen me energjinë elektrike, por janë argëtuese, interaktive dhe mund të bëhen nga komoditeti i shtëpisë.
Qëllimi ynë është t’i nxisim fëmijët të përdorin imagjinatën e tyre për t’u informuar rreth energjisë elektrike, kursimit të saj dhe shumë e më shumë!
1. Fletë për ngjyrosje
Në këtë faqe NEED mund të gjeni fletë të ndryshme për ngjyrosje me tema si qymyri apo hidroenergjia, etj. Të gjitha këto fletë-ngjyrosjeje janë falas dhe ju mund t’i shtypni ato me një klikim të vetëm. Gjatë ngjyrosjes diskutoni me fëmijët tuaj llojet e ndryshme të energjisë, kështu ata edhe do të zbaviten duke ngjyrosur, edhe do të mësojnë për llojet e ndryshme të energjisë elektrike, që nga mosha e re.
2. Historia e energjisë elektrike
Pavarësisht nëse ngisni biçikletë apo dilni vetëm për të ecur me fëmijën tuaj për një aventurë në natyrë, ju mund të fokusoheni në gjurmët e kafshëve, sythat e posa-dala të pemëve ose t’i emëroni llojet e ndryshme të bimëve që i hasni gjatë ecjes.
Pastaj diskutoni se si njerëzit kanë jetuar për mijëra vite pa energji elektrike dhe përpiquni të identifikoni materialet që ata kanë përdorur nga natyra për ngrohje, ndriçim apo nevoja të tjera.
3. Fjalori i energjisë elektrike
Shënoni fjalët si: Energjia elektrike, njehsori elektrik, kilovati, energjia nukleare, energjia kinetike, etj, dhe pastaj duke iu mundësuar fëmijëve tuaj qasje në internet, lini ata që të gjejnë definicione për këto terme energjetike, si dhe ndonjë shembull aty ku munden. Pastaj, diskutoni së bashku këto definicione.
Ky është një aktivitet që bëhet me fëmijë pak më të rritur, diku +12 vjeç.
4. Gjurma ime elektrike
Flisni me fëmijët tuaj për përdorimin e energjisë elektrike në jetën tuaj të përditshme, në shtëpi, shkollë dhe kudo që ndodheni. Më pas diskutoni ndonjë mënyrë se si ata mund të kursejnë energji elektrike çdo herë që ata e përdorin atë.
Si për shembull, tregoni fëmijëve tuaj se ata mund të kontribuojnë në mbrojtjen e ambientit nëse kujdesen pak më shumë, që të fikin dritat kur dalin nga dhoma që nuk i shfrytëzojnë ose ju mund t’i diskutoni me ta faktet dhe këshillat që ju i gjeni në këtë broshurë që ne kemi përgatitur për fëmijët tuaj. (Shfaq broshurën)