Gratë udhëheqëse të KESCO-s
Të zonjat e shumë të suksesshme, në krye të departamenteve më të rëndësishme të kompanisë të cilat kanë një rol të jashtëzakonshëm në sukseset e kompanisë, udhëheqëse që konkurrojnë dukshëm gjininë e kundërt, këto janë gratë që thyen barrierat dhe mbërritën majat e suksesit brenda KESCO-s.
Behije Ahmeti
Behije Ahmeti është një ndër gratë më me përvojë në sektorin energjetik, ajo drejton njërin nga departmentet më të rëndësishëm, atë të Tregëtimit të Energjisë Elektrike, dhe siç është shprehur ajo, përkushtimi i madh dhe vullneti për punë, janë faktorët kryesor që ajo sot mbanë këtë pozitë. Znj. Ahmeti tregon për punën dhe perpecitë më të mëdha, të cilat kryesisht ishin gjatë fillimit të punës së saj.
“Ishte vështirë në fillim.Sapo kishte përfunduar lufta dhe stablimentet energjetike që i gjetëm nuk ishin në gjendje të mirë. Njësitë prodhuese binin pa plan, përderisa automatikisht përkeqësonin furnizimin. Por, këto sfida u tejkaluan falë punës së mirë ekipore dhe efikasitetit në punë”, thotë znj. Ahmeti.
Por, pse ajo vazhdon të punojë edhe pas kaq shumë vitesh në sektorin energjetik?
“Më pëlqen natyra e kësaj pune. Shërbimin për konsumatorë e bëj me shumë dëshirë”, shton ajo. Duke pasur një përvojë kaq të madhe, edhe në udhëheqësi, ajo vlerëson se gratë janë më të përkushtuara dhe më të sakta, në çdo aspekt. Ajo është e bindur që:
Gratë janë më të pakorruptueshme, më të përkushtuara, më të sakta në çdo aspekt, dhe ju them të gjitha grave asnjëherë të mos dorëzohen, të mos heqin dorë.
Iliriana Hajdari
Iliriana Hajdari është shembull i thyerjes së paragjykimit se gratë nuk kanë aftësi të jenë menaxhere të suksesshme. Ajo ka vizion të qartë dhe di çfarë dëshiron, ka marrë shumë vendime të shkëlqyeshme për zhvillimin e kompanisë, të cilat ia kanë hapur rrugën që të jetë drejtoreshë e një departamenti shumë të rëndësishëm, siç është ai i Përkujdesit për Konsumatorë.
“Punën e kam filluar në vitin 2014 si Menaxhere për Konsumatorë të Veçantë dhe Projekte Speciale, dhe tani drejtoj Departamentin për Konsumatorë. Rruga deri këtu nuk ka qenë e lehtë, duke ditur që niveli i lartë i drejtimit konceptohet akoma monopol i burrave. Por, vizioni i qartë, zotërimi i punëve, optimizmi, strategjia në të menduar e të vepruar, fleksibiliteti, vendosmëria dhe vullneti për t’i çuar punët deri në fund, pasioni dhe ambicia, bindja e përkushtimi, më kanë sjellë deri këtu”, u shpreh ajo.
Puna në kompanitë e mëdha është e përcjellur me vështirësi të mëdha, por cila ka qenë sfida më e madhe për Ilirianën?
“Jam ngritur në pozitë dhe kam marrë përgjegjësi dhe shpërblimin që vjen prej tyre si dhe një gamë të gjerë mundësish për të përftuar aftësi të reja, përvoja dhe bashkëpunime, por bashkë me këto edhe shumë sfida, që karakterizohen me vendimmarrje nën presionin e kohës dhe rrezikut, meqë ne kemi të bëjmë direkt me konsumatorët, e që njëkohësisht duhej të inkurajoja bashkëpunetorët, në mënyrë që të arrinim rezultate sa ma të mira edhe për ne edhe për qytetarët. Në këso momente duhet të jini të fortë me rezultatet, por të butë me njerëzit”, thotë ajo. Por, çka e konsideron Iliriana të arriturën më të madhe të saj në pozitën e drejtoreshës për konsumatorë?
Si suksesin më të madh mund ta konsideroj uljen e ankesave të konsumatorëve për afro 70 për qind, gjë që dëshmon punën tonë të mirë ekipore dhe përkushtimin ndaj konsumatorit.
Pse vazhdon ajo edhe me tutje të jetë pjesë e KEDS/KESCO?
“Ne në Kosovë kemi ende shumë probleme, por në kompaninë tonë kemi bërë hapa shumë të medhenj në këtë drejtim. Ka një barazi gjinore të shëndetshme, që nxit dhe i inkurajon gratë që të zhvillohen profesionalisht, prandaj vazhdoj të jem edhe më tutje pjesë e KESCO-s”, u shpreh ajo. Kur shohim këto udhëheqëse të suksesshme, mësojmë se duhet të punojmë më shumë që të sjellim më shumë gra në këto pozita. Por, cila është rruga për të arritur këtu? “Është shumë e vështirë të arrish në majë, por edhe më vështirë është të mbash atë pozitë. Por, pasi të keni gjetur fokusin tuaj, të keni qëndrueshmëri dhe ambicie, e duke mos lejuar që frika të jetë faktor në marrjen e vendimeve, do të jeni të sigurta në rrugën e suksesit. Andaj, asnjëherë mos hiqni dorë!,” porositi ajo të gjitha gratë dhe vajzat.
Rudina Heroi
Rudina Heroi një grua e suksseshme, e cila është në krye të njërit nga departamentet më të rëndësishme të KEDS-it.
Këtij ekipi të mrekullueshëm të kompanisë i jam bashkuar si specialiste për tarifa. Pas një periudhe 3- vjeçare jam ngjitur në pozitën e udhëheqëses së Departamentit të Tarifave dhe Çështjeve Rregullative,
thotë ajo. Rudina tregoi për rrugëtimin e saj të gjatë, se si i ngjiti shkallët në hierarkinë e karrierës.
“Edhe pse njohuritë e mia në fushën e energjisë ishin të kufizuara, ekipi i mrekullueshëm me të cilin kisha fat të punoj më ndihmoi që shpejt t’i përvetësoj këto njohuri. Kombinimi i eksperiencës paraprake dhe një ekip bashkëpunues, frymëzues dhe nxitës, ishin shtytësit më të mëdhenj që më ndihmuan që për 3 vjet të arrij në pozitën ku jam sot”, tregon ajo. Kur flasim për sektorin e energjisë, çdoherë mendohet si fushë e burrave, dhe sa është e vështirë të jesh grua që punon në një kompani energjetike?
“Sektori i energjisë, fatkeqësisht dominohet ende nga gjinia mashkullore dhe besoj se kjo ishte dhe shpesh vazhdon të jetë sfidë për mua si grua, e veçanërisht si nënë, ku ndonjëherë më duhet të sakrifikoj kohën e familjes. E megjithatë, këtë sfidë e konsideroj edhe suksesin më të madh, sepse të arrish sukses në një botë mashkullore është frymëzuese për gjeneratat pas, duke filluar nga vajza ime, të cilat duhet të besojnë se puna sjell rezultate dhe se ka ende kompani si kjo e jona e cila vlerëson punën mbi çdo gjë tjetër”, shprehet ajo.
Por, çka e bën edhe më tutje Rudinën që të jetë pjesë e KEDS-it?
Kompania jonë vlerëson punën,ofron mundësi dhe përkrah punëtorin. Pra, ekziston një frymë e mirëfilltë bashkëpunimi me një qëllim të përbashkët, të përmirësohemi vazhdimisht dhe të kontribuojmë drejt zhvillimit të vendit,
thotë ajo. Duke ditur që në vendin tonë gratë janë të pafavorizuara, dhe tregu i punës nuk pasqyron të njëjtën barazi të përparimint në karrierë, si te burrat ashtu te gratë, Rudina jep edhe një mesazh inkurajues për të gjitha.
Mos lejoni t’ju definojnë nga gjinia, por nga puna. Optimizmi dhe energjia pozitive janë pjesë e përshkrimit të vendit të punës.
Kompania jonë vlerëson punën, ofron mundësi dhe përkrah punëtorin. Pra, ekziston një frymë e mirëfilltë bashkëpunimi me një qëllim të përbashkët, të përmirësohemi vazhdimisht dhe të kontribuojmë drejt zhvillimit të vendit.