Ebru Özdemir - Inspirim për gjeneratën e re të grave inxhiniere
Energy: Cilat janë sfidat me të cilat përballen gratë në pozicione drejtuese - posaçërisht gratë si ju, në sektorët e ndërtimit dhe inxhinierisë? Së është e vështirë për një grua të udhëheqë një prej grupeve më të mëdha të biznesit në Turqi që ka përfunduar me sukses mbi 100 projekte, vlera totale e të cilave tejkalon 10 miliardë dollarë?
Ebru Ozdemir: Derisa gratë ende përpiqen të arrijnë majat e biznesit, ato përballen me një sërë sfidash për të cilat shumë nga homologët e tyre meshkuj nuk kanë fare ide. Fatkeqësisht, këto çështje pengojnë shumë gra që të arrijnë qëllimin e tyre për t’u bërë udhëheqëse në kompanitë e tyre dhe zvogëlojnë mundësitë e tyre për të përparuar në biznes. Një nga sfidat më të mëdha është barazia në vendin e punës. Kjo vlen edhe për sektorët e ndërtimit dhe inxhinierisë. Burrat mbizotërojnë në rangjet ekzekutive dhe gratë përballen me sfida jo proporcionale në përpjekjet e tyre për t’u ngritur më lart. Pagat e grave janë më të ulëta se ato të burrave në çdo nivel të fuqisë punëtore. Në nivelin C pabarazia midis burrave dhe grave është ndoshta edhe më e theksuar. Ndërtimi i një “lidhjeje motërzimi” apo “Sisterhood”, marrja e mbështetjes nga gratë e tjera, është e dyta në listën time. Gratë në biznes duhet të mbështesin dhe fuqizojnë njëra-tjetrën. Ne gratë duhet të tregojmë unitet, pasion, përsosmëri dhe entuziazëm për të hedhur themelet për përparim përmes punës sonë. Në nivelin C ne kemi nevojë për një “Motërzim në ekzekutiv” që do të funksiononte si një katalizator për të rritur barazinë gjinore në vendin e punës. Pra, së pari, duhet të jemi bashkë. Dhe e fundit, po aq e rëndësishme, nuk është e mjaftueshme të jesh në një rol ose të ulesh në tryezë. Gratë lidere gjithashtu duhet të flasin me vetëbesim. Ato duhet të bëjnë që zëri i tyre të dëgjohet, të ndajnë pikëpamjet e tyre, sepse kjo ndikon formimin e politikave. Gratë duhet të jenë shembull për gjeneratat e ardhshme.
Energy: Ju njiheni si avokate për të drejtat e grave, duke punuar vazhdimisht për të fuqizuar studentet vajza. A mund të na tregoni për rrugëtimin tuaj dhe cilat ishin sfidat kryesore me të cilat jeni përballur derisa avokoni për to?
Ebru Ozdemir: Inxhinieria ka qenë gjithmonë pjesë e jetës. Jam rritur në një familje inxhinierësh. Nëna ime ishte e vetmja studente inxhiniere në klasën e saj në Turqinë e vitit 1960. Babai im është inxhinier, ashtu si edhe vëllai im. Unë gjithmonë kam qenë e rrethuar nga inxhinierë. Për më tepër, unë u rrita në një mjedis biznesi inxhinierësh dhe të jem e sinqertë, gjithnjë më tërhiqte ky mjedis. Prandaj ishte një zgjedhje e natyrshme për mua të ndjek një karrierë në inxhinieri.Unë mendoj se sfida numër një ështëperceptimi. Unë besoj se ekzistojnë mundësi fantastike për gratë; dhe më pas të tregohet se sa shumë njerëz ende nuk janë të vetëdijshëm për rolin që gratë luajnë në shoqërinë tonë. Merrni inxhinierinë për shembull: Është fakt që inxhinierët projektuan telefonin tuaj celular, ata janë krijuesit e makinës elektrike, megjithatë shpesh paramendohen vetëm si burra. Por nuk është e vërtetë! Ne nuk kemi luksin të diskriminojmë gratë, që përbëjnë 50 për qind të botës sonë, me gjithë përparimin teknologjik që kemi arritur. Kjo është e paqëndrueshme dhe e papranueshme. Kjo dëmton zhvillimin teknologjik, duke ngadalësuar progresin shoqëror dhe ekonomik. Duhet të ketë përpjekje sistematike dhe të qëndrueshme, që nga shkollat, në universitete e deri në vendet e punës, për të inkurajuar gratë që të orientohen në të gjitha drejtimet e mundshme për karrierë, përfshirë edhe karrierën inxhinierike.
Energy: A mendoni se sot gratë janë një hap më para në krahasim me kohërat e kaluara dhe sa mendoni se po respektohen të drejtat e tyre?
Ebru Özdemir: Kemi edhe shumë për të bërë globalisht për të fuqizuar gratë në aspektin politik, akademik, ekonomik dhe ligjor. Sfidat dhe problemet janë të njëjta si në Turqi, në Kosovë, rajon dhe pjesën tjetër të botës: Thënë me dy fjalë, për të arritur barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave. Prandaj, caktimi i një agjende të përbashkët me ambicien për të promovuar barazinë gjinore në tërë botën dhe për të tejkaluar bashkërisht barrierat që pengojnë zhvillimin e grave, duhet të jetë prioriteti numër një për të gjithë ne.
Energy: Kur bëhet fjalë për përparimin e grave në përgjithësi, ju jeni gjithashtu themeluese dhe kryetare e “Fondacionit Limak”, fusha e të cilës është investimi në avokim të fuqishëm e afatgjatë për avancimin e grave në karrierën e inxhinierisë. Sa ka qenë fondacioni juaj në gjendje t’i shtyjë gratë përpara në Turqi?
Ebru Ozdemir: Secili duhet të përfshihet në mënyrë aktive në ndryshim! Ky është lidership i vërtetë, besoj. Në Limak, vizioni ynë i biznesit i realizuar në të gjitha vendet ku veprojmë, në Turqi, në Kosovë, në Kuvajt, në Senegal, është i qartë:
Çdo ndikim pozitiv që bëjmë në shoqëritë në të cilat veprojmë, do të kthehet në dobi për biznesin tonë dhe do të sigurojë qëndrueshmëri afatgjate.
Prandaj, në Limak angazhohemi që biznesi dhe investimet tona të kenë ndikim pozitiv në vend dhe qytetarët e tij. Për këtë qëllim ne kemi themeluar “Fondacionin Limak” në vitin 2016, për të menaxhuar në mënyrë strategjike investimet sociale të “Limak Group”. Në portofolin tonë kemi shumë vepra dhe nisma të realizuara në Turqi: “Vajzat Inxhiniere të Turqisë” (TMK), “SDG Impact Accelerator”, “Orkestra Filharmonike e Limak”, TEA - programi i parë i akceleratorit për start-up-ët në sektorin e energjisë në Turqi, shkolla më e madhe e Turqisë për fëmijë me aftësi të kufizuara dhe programe të ndryshme në arsim, shëndetësi, sport, etj. Jashtë vendit investojmë për gjeneratat e ardhshme të vendeve, ku veprojmë përmes llojeve të ndryshme të aktiviteteve. Për shembull, në Kuvajt jemi duke udhëhequr “Vajzat Inxhiniere të Kuvajtit” si dhe “Platformën e Fuqizimit Ekonomik të Grave të Kuvajtit”. Në Senegal kemi programin “Akademia LAS”, një qendër trajnimi për shërbimet e aeroportit. Në Kosovë kemi dy projekte të veçanta, “KEDS Academy” dhe “Limak ASI”.
Fuqizimi i grave është një fushë e interesit tim personal, një ambicie personale, një aspiratë personale për mua, siç e kam shpjeguar.
Përmes programeve të ndryshme në Turqi dhe jashtë saj ne synojmë që vajzat inxhiniere t’i pajisim me mjetet e nevojshme për të garuar dhe arritur sukses në vendin e ardhshëm të punës dhe t’i ndihmojmë ato të parashikojnë karrierën e tyre të ardhshme në inxhinieri. “Vajzat Inxhiniere të Turqisë” (TMK) është projekti kryesor i “Fondacionit Limak”.
Partnerë kemi Ministrinë Turke të Familjes dhe Politikave Sociale, Ministrinë Turke të Arsimit Kombëtar, si dhe UNDP-në në Turqi. Këtë vit kur kemi shënuar 5 vjetorin e programit, kemi arritur të kemi më shumë se 120 studente të inxhinierisë, më shumë se 150 mentorë, gra profesioniste të inxhinierisë. Mbi 60 studente janë diplomuar në këtë program dhe ato janë të punësuara në top-kompanitë e inxhinierisë në Turqi.
Energy: Sipas jush, cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballen gratë sot nëpër botë?
Ebru Ozdemir: Një nga sfidat thelbësore në çdo angazhim për gratë, në nivel global, është mungesa e grave në pozita të pushtetit. Që nga bordet e korporatave deri tek akademia, nga sistemi gjyqësor e deri te udhëheqja politike në të gjithë botën, mungesa e grave në pozita të larta vazhdon të pengojë përparimin në shumë çështje, nga shpërndarja e pasurisë e deri te diskriminimi në të gjitha format e saj. Unë besoj se sa më shpejt të kuptojmë se mungesa e grave në pozita udhëheqëse mban prapa jo vetëm gratë, por të gjithë njerëzit, aq më shpejt do të jemi në gjendje t’i përparojmë shoqëritë tona në tërësi. Një sfidë e dytë janë paragjykimet. Pavarësisht përvojës, ekspertizës, arsimit ose aftësive të një gruaje, natyra e shoqërive tona ushqen pikëpamjen se gratë janë më pak të afta dhe më pak kompetente se sa burrat. Në të vërtetë kjo është një nga arsyet kryesore të të gjitha formave të pabarazisë që ne përjetojmë.
Energy: Përveç biznesit tuaj kryesor, ju punoni çdo ditë për barazi gjinore në shoqëri. Ju gjithashtu keni gjetur mbështetje nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) për Vajzat Inxhiniere të Turqisë. Si ndiheni kur dëgjoni zërin tuaj në nivele kaq të
larta?
Ebru Ozdemir: Ju faleminderit shumë për këto fjalë të mira. Unë besoj fuqishëm se lidershipi i grave mund të ndryshojë botën! Kjo vlen jo vetëm në biznes, por në përgjithësi. Gratë kanë tendencë të qeverisin me konsensus. Ato janë të prira të mirëpresin kontributin e të tjerëve dhe besojnë se përmes bashkëpunimit mund të fitohet më shumë. Ato gjithashtu krijojnë një stil më të larmishëm të lidershipit, pasi duke u nisur nga përvojat e tyre, ato thjesht nuk bëjnë dallime gjinore. Unë besoj se bota ka shumë për të fituar nga udhëheqja e grave. Unë besoj se kemi qenë shumë me fat që kemi pasur mbështetjen e UNDP-së në Turqi për projektin “Vajzat Inxhiniere”, që nga fillimi i tij. Siç e ceka, ne gjithashtu kemi partneritet me dy ministri të veçanta në Turqi, si dhe institucione të tjera (përfshirë Universitetin Bogaziçi, PERYÖN, etj.) Mbështetja e UNDP-së në Turqi i dha projektit një pikëpamje ndërkombëtare e globale. Ishte mundësi që të dëgjohemi ndërkombëtarisht si dhe të krahasojmë dhe vlerësojmë punën
tonë.
Energy: Cilat kanë qenë arritjet kryesore në këtë projekt me të cilat jeni krenare?
Ebru Ozdemir: Siç e thashë më parë, inxhinieria ka qenë gjithmonë pjesë e jetës sime. Duke u rritur në një familje inxhinierësh dhe duke pasur shembull nënën, e cila ishte inxhiniere dhe duke besuar në fuqizimin e grave, mua vetëm më duhej të ndiqja rrugën e shtruar nga ajo dhe familja ime.Frymëzimi i gjeneratës së ardhshme të grave inxhiniereve ka qenë gjithmonë një inspirim për mua. Jam me fat dhe shumë krenare që kam mundur të filloj dhe të realizoj këtë ëndërr, këtë vizion, përmes “Vajzave Inxhiniere të Turqisë” dhe programeve të tjera. Gjithmonë kam dashur të bëj diçka të mirë për këtë çështje dhe kam menduar gjatë për këtë. Për këtë dua të falënderoj edhe miqtë, familjarët, kolegët në Limak dhe jashtë kompanisë, që bashkuan forcat me mua. Bashkërisht filluam të mendonim: Nëse do të merreshim me këtë problem, si do ta bënim këtë? Çfarë të ofrojmë dhe çfarë të presim? Kemi pasur në fokus projektet tona në këtë fushë në të gjithë botën. Literalisht ne e projektuam të gjithë idenë si inxhinierë. Dhe sot, kur janë bërë pesë vite që nga fillimi i projektit, kemi arritur të kemi ndikim në më shumë se 120 studente në Turqi. Dhe jo vetëm studentet, sepse kur realizohet një projekt i tillë, në mënyrë indirekte ndikon edhe në familjet e tyre, miqtë, instruktorët. Për këtë numri i atyre te të cilët kemi pasur ndikim, është shumë më i madh.
Energy: Cilat janë planet, qëllimet, ambiciet tuaja në të ardhmen dhe a do të ketë një iniciativë ndërkombëtare që avokon për të drejtat e grave, potencialisht e udhëhequr nga ju?
Kemi edhe shumë për të bërë globalisht për të fuqizuar gratë në aspektin politik, akademik, ekonomik dhe ligjor.
Ebru Ozdemir: Pse jo. Frymëzimi i gjeneratës së re të grave inxhiniere është një nga ambiciet më të mëdha në jetën personale dhe profesionale. Në të vërtetë nuk duhet medoemos të jetë në inxhinieri. Ambiciet e mia janë të shoh më shumë gra të cilat fuqizohen dhe marrin pozita udhëheqëse në botën e biznesit, në politikë, diplomaci, akademi. Kjo është edhe arsyeja pse unë investoj shumë angazhim dhe kohë në “Projektin e Vajzave Inxhiniere” në Turqi dhe në Kuvajt, dhe në shumë projekte të tjera që kemi realizuar me“Fondacionin Limak”. Uroj me gjithë zemër që këto dy projekte dhe të tjerat të zgjerohen në të ardhmen e afërt dhe të jenë të qëndrueshme. Në fakt, dëshiroj që këto dy projekte të bëhen globale, në vend se të jenë lokale ose rajonale. Për këtë po punojmë edhe në Limak. Partneriteti ynë me UNDP-në në Turqi u tregua shumë i dobishëm në ngritjen e punës në nivel tjetër, pra të bëhet “globale”.
Energy: Cila është porosia juaj për gratë që po lexojnë këtë intervistë?
Ebru Ozdemir: Unë personalisht jam e angazhuar dhe punoj drejt këtij vizioni që u mundova ta shpjegoj. Unë mendoj se ky vizion kërkon tri pika: Durim, pasion, këmbëngulje.
Duhet të jeni të durueshme: Ndryshimi ndodh, por nuk ndodh menjëherë. Ju duhet të keni pasion për atë që bëni dhe atë që parashihni. E fundit, po aq e rëndësishme, është se duhet të jeni këmbëngulëse…Do të thotë se duhet të punoni shumë për kauzën tuaj, duhet të jeni kokëfortë dhe të përkushtuara.