Llojet e kërkesave dhe ankesave
Si konsumator ekzistues apo i ardhshëm i KESCO-s, ju mund të keni kërkesa të ndryshme dhe ne ju ofrojmë zgjidhjet për të gjitha kërkesat tuaja. Nëse keni ndonjë kërkesë apo ankesë, së pari ju lusim që të shikoni nëse kërkesa juaj gjendet në listën më poshtë.
Nëse ju doni të parashtroni një kërkesë apo ankesë të re, atëherë ju mund ta bëni këtë nëpërmjet aplikacionit eKesco, përkatësisht fushës 'Shto një kërkesë ose ankesë.'
Kërkesa të konsumatorëve
Energjia elektrike është produkt dhe shërbim që duhet të paguhet. Çdo pagesë e juaja shërben për mbarëvajtjen e operimeve për furnizim me energji elektrike dhe njëkohësisht për të krijuar shërbime sa më profesionale për ju!
Mirëpo, nëse për çfarëdo arsye konsumatorët kanë kaluar afatin e dhënë të pagesës së energjisë elektrike (afati është i paraqitur në faturën tuaj), atëherë, ata do të trajtohen konform Rregullave për Shkyçje dhe Rikyçje në Sektorin e Energjisë.
Për t’u rikyçur në rrjetin elektrik, konsumatorët fillimisht duhet të përmbushin të gjitha detyrimet financiare dhe parashtrojnë kërkesë për rikyçje.
Kërkesa për rikyçje bëhet në sportelet tona (shko tek harta) apo përmes Qendrës së Thirrjes, në numrin pa pagesë: 0800 791 00 dhe përmes postës elektronike info@kesco-energy.com
Konsumatorët të cilët parashtrojnë kërkesë për rikyçje përmes sportelit, duhet të plotësojnë këto dokumente:
a. Formën e aplikimit (Shkarko formularin)
b. Dëshmi mbi përmbushjen e detyrimeve financiare.
Konsumatorët të cilët parashtrojnë kërkesë për rikyçje përmes Qendrës së Thirrjes, e-mailit zyrtar apo platformave online, duhet t'i ndjekin këta hapa:
a. Kërkesa përmes Qendrës së Thirrjes; sigurohet dëshmia mbi përmbushjen e detyrimeve në llogarinë përkatëse (të ofrohet shifra e konsumatorit, ku vërtetohet përmbushja e detyrimeve financiare);
b. Kërkesa përmes e-mailit zyrtar; parashtrimi i kërkesës zyrtare në formë elektronike dhe bashkëngjitja e dëshmisë mbi përmbushjen e detyrimeve financiare;
c. Kërkesa përmes platformës online (Shkarko këtu); plotësimi i formës elektronike në ueb-faqe dhe bashkëngjitja e dëshmisë mbi përmbushjen e detyrimeve financiare.
Të gjithë konsumatorët mund të parashtrojnë kërkesë për kontrollimin e pikës matëse/njehsorit. Për të realizuar këtë kërkesë, konsumatori duhet të dorëzojë formën e aplikimit në sportelet e Shërbimit për Konsumatorë, si:
-
Forma e kërkesës (ku duhet të përshkruhen arsyet mbi kërkesën për kontrollimin e njehsorit).
-
Dokumente tjera relevante sipas nevojës.
Aktivitetet që ndërlidhen me inspektimin e njehsorit kryhen nga ana e KEDS, ndërsa implementimi i të dhënave në sistem dhe njoftimi i konsumatorit, nga ana e KESCO-s.
Nëse keni ndërruar vendbanim apo keni mbyllur përkohësisht biznesin tuaj, dhe si rezultat keni deaktivizuar llogarinë tuaj në KESCO, të njëjtën mund ta ri-aktivizoni.
Për të ri-aktivizuar llogarinë tuaj në KESCO ju duhet të bëni kërkesë në sportelet e Shërbimit për Konsumatorë në qytetin tuaj (shko tek harta). Në qoftë se ç’aktivizimi ka kaluar periudhën 24- mujore, atëherë ju duhet t’i nënshroheni procedurave të aplikimit për konsumator të ri.
Kërkesa juaj për ri-aktivizim të llogarisë duhet të kalojë nëpër këto hapa:
a. Plotësohet forma e kërkesës dhe dorëzohet në sportelet e KESCO;
b. Në raste kur ka ndërrim të emrit nga emri i mëparshëm, aplikohen kushtet e njëjta sikurse te kërkesat për ndërrim të emrit.
c. Dokumente tjera relevante.
Aktivitetet në terren që ndërlidhen me aktivizimin e llogarisë, kryhen nga ana e KEDS, ndërsa implemetimi i të dhënave në databazë dhe njoftimi i konsumatorit bëhet nga ana e KESCO-s.
Njehsori është pajisja kryesore për matje të konsumit tuaj të energjisë elektrike.
Në raste të dyshimit mbi saktësinë e matjes së njehsorit tuaj, ju mund të parashtroni kërkesën për testim apo ndërrim të njehsorit në sportelet e KESCO. Për të realizuar këtë kërkesë, konsumatori duhet të plotësojë formën dhe ta dorëzojë atë në sportelet tona së bashku me dokumentet tjera relevante.
Aktivitetet që ndërlidhen me testimin apo ndërrimin e njehsorit kryhen nga ana e KEDS, ndërsa implementimi i të dhënave në sistem dhe njoftimi i konsumatorit, bëhet nga ana e KESCO-s.
Nëse për çfarëdo arsye, ju si konsumator ekzistues në KESCO parashtroni kërkesë për ndërrimin e emrit të llogarisë, atëherë ju duhet ndiqni hapat e mëposhtëm:
Aplikimi për ndërrim të emrit duhet të bëhet në zyrat e Shërbimit për Konsumatorë në KESCO në distriktin tuaj përkatës, duke plotësuar dhe dorëzuar dokumentet relevante, siç përshkruhen më poshtë.
- Për të ndryshuar emrin e llogarisë, fillimisht borxhi në këtë llogari duhet të jetë zero. Në të gjitha rastet e ndërrimit të emrit, pronarët e rinj janë të obliguar të nënshkruajnë Kontratë për Furnizim me Energji Elektrike dhe të njëjtit do të pajisen me Përmbledhjen e të Drejtave dhe Përgjegjësive të KESCO-s dhe Konsumatorit (link). Këtu mund të gjeni linkun e Kontratës për Furnizim me Energji Elektrike e aprovuar nga ZRrE, për konsumatorë shtëpiak (Kontrata për amvisëri) dhe komercial (Kontratë për konsumatorët komercial).
- KESCO mund të kërkojë që palët e përfshira gjatë aplikimit për ndërrimin e emrit të paraqiten personalisht në zyrat e Shërbimit për Konsumatorë me qëllim të eliminimit të paqartësive eventuale.
Më poshtë gjeni llojet e kërkesave për të ndërruar emrin e llogarisë
Kërkesë për ndërrimin e emrit në rast të shitblerjes apo qiramarrjes së objektit.
- Plotësohet forma e kërkesës.
- Kontrata e shitblerjes apo qiramarrjes.
- Autorizimi i noterizuar mbi personin e autorizuar në raste të nevojshme.
- Informata mbi biznesin (jo më e vjetër se 6 muaj) në raste të kompanive.
- Dokumente tjera relevante.
Kërkesë për ndërrimin e emrit në rastin kur vdes personi, i cili është kontraktues me KESCO:
- Plotësohet forma e kërkesës.
- Çertifikata e vdekjes e personit i cili është kontraktues me KESCO.
- Çertifikata familjare.
- Në rastet jashtë marrëdhenieve familjare, dëshmitë relevante mbi pronësinë ku gjindet pika matëse në fjalë.
- Dokumente tjera relevante.
Kërkesë për ndërrim emrit ndërmjet anëtarëve të familjes:
- Forma e kërkesës.
- Çertifikata e lindjes.
- Çertifikata familjare.
- Deklaratë e noterizuar ndërmjet dy anëtarëve të familjes.
- Dokumente tjera relevante.
Kërkesë për ndërrimin e emrit nga një subjekt qeveritar/komunal:
- Kërkesa zyrtare nga subjekti qeveritar/komunal.
- Autorizimi i noterizuar për përfaqësuesin e organit përkatës.
- Dokumente tjera relevante.
Kërkesë për ndërrimin e emrit nga investitori (pronari i vjetër) në emër të pronarit të ri, (por mungon kontrata e noterizuar e shitblerjes):
- Forma e kërkesës.
- Parakontrata.
- Procesverbal nga terreni ku konstatohet se shfrytëzuesi i objektit është shfrytëzues i ri.
- Dokumente tjera relevante.
Kërkesë për ndërrimin e emrit nga shfrytëzuesi aktual, por të dhënat në databazë i përkasin një personi të panjohur (gabim në përshkrim të emrit/mbiemrit dhe të dhëna të tjera, person i vdekur):
- Forma e kërkesës.
- Dëshmi nga komuna, gjykata apo çfarëdo institucioni relevant në lidhje me pikën matëse në fjalë.
- Procesverbal nga terreni ku konstatohet se shfrytëzuesi i objektit është parashtruesi i kërkesës.
- Dokumente tjera relevante.
Çdo konsumator i cili dëshiron të mbyllë/deaktivizojë llogarinë dhe të ndalojë faturimin për llogarinë respektive, duhet të ndjekë hapat si më poshtë:
- Plotësohet forma e kërkesës dhe dorëzohet në sportelet tona (map).
- Fletëpagesa që dëshmon pagesën e borxhit në tërësi.
- Dokumente tjera relevante sipas nevojës.
Disa rregulla të rëndësishme dhe qenësore për kërkesat për mbyllje të llogarisë, janë:
- Gjatë shkyçjes dhe tërheqjes së njehsorit nga vendi i ngjarjes, konsumatori duhet të jetë prezent.
- Në rast se ka kW/h të akumulara dhe të pafaturuara apo ndonjë gjetjeje gjatë testimit dhe shqyrtimit të njehsorit në laborator të kalibrimit, i njëjti është përgjegjës për përmbushjen e të gjitha detyrimeve financiare dhe ligjore rreth pikës matëse/ njehsorit në fjalë.
- Pas përfundimit të procedurave të cekura më lart, në rast se njehsori gjatë testimit rezulton në rregull, do të mbyllet llogaria sipas kërkesës, në të kundërtën, do të veprohet sipas procedurave dhe rregullave konform dispozitave ligjore.
Aktivitetet në terren që ndërlidhen me mbylljen e llogarisë, kryhen nga ana e KEDS, ndërsa implementimi i të dhënave në sistem dhe njoftimi i konsumatorit, bëhet nga ana e KESCO-s.
Kërkesa për ripllobim mund të paraqitet në sportelet e Kujdesit për Konsumatorë në distriktin relevant, duke plotësuar dhe dorëzuar formën e kërkesës si më poshtë:
- Forma e kërkesës.
- Dokumente tjera relevante sipas nevojës.
Aktivitetet në terren që ndërlidhen me ripllombim kryhen nga ana e KEDS, ndërsa implementimi i të dhënave në sistem dhe njoftimi i konsumatorit, bëhet nga ana e KESCO.